Të panjohurat e Arnisës, si u zhduk qyteti i lashtë Ilir

Qytetërimet e hershme në vendin tonë janë të shumta dhe kanë lënë gjurmë të pamasa në gjithë perimetrin e vendit. Disa janë zbuluar dhe mbajnë statuse të veçanta ndërsa disa të tjerë nuk e kanë njohur akoma dritën e lavdisë që i përket me të drejtë. Një nga këto qytete është edhe Arnisa, të cilin nuk dimë të themi ende nëse kemi të bëjmë me diçka reale apo ndonjë mit.

Duhet thënë se gjatë gërmimeve arkeologjike të pjesshme të bëra gjatë viteve `80, pranë fshatit Babunjë, arkeologët zbuluan pjesë të një muri fortifikues, i cili daton në shek. XII p.Kr, gjithashtu në pjesën e sipërme të kodrës u gjetën pjesë qeramike të shek. VII-V p.Kr.

Sipërfaqja e qytetit përbëhej prej 7 ha, qyteti rrethohej nga një mur mbrojtës, i cili në pjesën veriore dhe në atë lindore është më i ulët.

Muri mbrojtës është ndërtuar gjatë shek. IV p.Kr. Në pjesën verilindore, arkeologët zbuluan praninë e një kulle rrethore. Qeramikat e gjetura në të gjithë territorin e Arnisës, i përkasin shek. III p.Kr.

Për herë të parë është vënë re si qytet në hartën e Ptolemeut, ai e ka me gradë gjeografike dhe kjo për ne është e rëndësishme, pasi sipas kësaj të dhëne, Arnisa ndodhet në jug të qytetit të Durrësit. Duhet thënë se është një qytet i paidentifikuar akoma. Ka mendime të ndryshme. Një arkeolog italian i quajtur Sestieri e identifikon afër vendit të quajtur Babunja afër Lushnjës. Këtë mendim e ka mbrojtur Moikon Zeqo, Neritan Ceka e disa të tjerë.

Duke hulumtuar shpesh herë në territorin e Myzeqesë sidomos në brezin kodrinor që përshkojnë dhe rrethojnë fushën e madhe për gjurmë dhe objekte të antikitetit na kishin tërhequr vëmendjen disa territore të përshtatshme dhe të mundshme për banim në kohët e lashta. Kuptohet kohërat dhe faktorë të ndryshëm natyral, por dhe luftërat e shpeshta e të ashpra kanë sjellë atë mjegull të dendur që na mbulon historinë e të parëve.

Ndërmjet të tjerash përpiqeshim mes mjaft kontradiktave të shkrimeve arkivore dhe toponomisë rrëmujë të vendit nëpër shekuj për të saktësuar sado pak të dhënën që sjell veten një herë Ptolemeu në “Libri i tretë të Gjeographies” së tij ku na jep koordinatat për qytetin Taulant, Arnisa në 45 gradë e 20 minuta në brendësi të vendit.

Sipas të dhënave të këtij shkrimi të Ptolemeut, por edhe me hipoteza të ndryshme këtë qytet Taulant, shumë studiues e vendosnin në brezin e kodrave të Divjakës. Disa historian të njohur e vendosin me emrin e hershëm të Babunjës pranë Gradishtës, të tjerë e mendonin pranë gërmadhave të Spolatës, por kishte edhe nga ata që e vendosnin pranë Gërmenjit ku janë gjetur gjurmë të shumta të qytetërimit antik.

Së pari, ky emër na del nga Ptolemeu gati 200 vjet pas Cezarit, mund që ajo të mos ishte në kohën e luftimeve.

Së dyti, Cezari si ushtarak e strateg ishte mjaft i kursyer në përshkrime që ishin jashtë interesit të tij, këtë e shikojmë edhe për të dhënat e pakta që na sjell edhe për qytetet e tjerë të mëdhenj e të rëndesishëm si Durresi, Apollonia, Butrinti, Opidum Parthenum, Oriku apo Asparagumi.

Se treti, Cezari nuk e kaloi drejtpërdrejtë lumin Apsus (Semanin) për të shkuar në veri në drejtim të Durrësit ku mund të shikonte edhe qytetin e Arnisës, por shkoi mjaft djathtas për të dalë në kodrat e Karbunarës.

E dhëna e Ptolemeut kishte interes se përveç koordinatave të vendodhjes përcaktonte se ajo ishte në brndësi të tokës së Taulanteve dhe në jug të lumit Genius (Panius), pra të Shkumbinit.

Kuptohet në këtë rast se si Ispolata (Spolata) që është emër helen e do të thotë në shqip ish- qytet, por dhe emri Gradishte aty pranë do të thotë qytet në gjuhën sllave ju jep të drejtë mjaft studiuesve për të vendosur këtu qytetin e dikurshem të Arnisës.

Por kjo nuk qëndron, sepse Ptolemeu na jep në këtë pozicion me koordinata të qarta gjeografike Grykderdhjen e lumit Apsus. Ai e vendos gabimisht pranë Vjosës edhe qytetin Daulia që sot me mjaft dekumentë të arkivave dhe të vërtetuara dhe me objekte në terren, kuptohet se rrënojat antike të Babunjës pranë lumit të vjetër në fshatin Daullas të Vanarit, janë ato të qytetit antik Daulia.

Po kështu kjo vijë dhe ky brez kodrash, bëjnë pjesë në zonën bregdetare ku dhe kalonte rruga e drejtpërdrejtë nga Apollonia për në Durrachium. Po të ishte Arnisa në këtë drejtim patjetër do të vlerësohej edhe si qytet i kqsaj rruge të njohur antike, por nuk ka asnjë të dhënë që të tregoj se kjo rrugë kalonte nëpër Arnisë.

Mendojmë kështu me arsye të plotë se Arnisa duhet kërkuar në brendësi të zonës së Taulantëve. Në kohën që jetoj Ptolemeu shohim se ajo përkon edhe me rindërtimin e rrugës së vjetër antike të Kandavias që do të merrte emrin Egnatia si dhe ribërja e segmentit të rrugës Egnatia jugore.

Qendra e re pranë lumit Shkumbin ku nis rindërtimi i kësaj rruge do të marrë emrin Kolodian, që siç e kemi shpjeguar në shkrimin Dega jugore e rrugës Egnatia do të thotë koladim, rregullim, përshtatje nga latinishtja. Kjo rrugë duke kaluar lumin në anën jugore del në zonën e Darsisë (Kundavis, Kunavis) dhe shkon anës perëndimore të kodrave Darsi-Dumre ku kalonin rrugët e vjetra për në Gerinium dhe Korrogium dy qytetet që përmenden në luftërat e para të pushtimit romak, në shekullin e III e të II para Krishtit nga mjaft autor të vjetër.

Në intinerat e hershme rrugore i gjejmë të shënuar sipas llogaritjeve të bëra në milje si stacione pushimi dhe të ndërrimit të kuajve me emrat e tyre të dikurshëm, por edhe pa emrat, thjesht stacione rrugore dhe qendra banimi.

Pa asnjë dyshim që emri Arnisa mendojmë se është një deformim i kuptueshëm i emrit P’anyasos (P’aniasos) që na jep Ptolemeu. Tashmë ne e kuptojmë se në emrin Panysos duhet kuptuar se bëhet fjalë për lumin Geniusus që kalonte pranë qytetit Gerinius. Tradita e vendit na tregon se lumenjtë tanë mbajnë emra të ndryshëm në zona dhe krahina të ndryshme ku ata kalojnë.

Qyteti më i madh dhe i dëgjuar pranë kodrave, ishte Gerinusi dhe lumi pranë tij quhej Gerinus kur delte në fushë dhe bashkohej me vijën kryesore duke i dhënë edhe emrin në pjesën e poshtme lumit Gerinius, Genius ashtu si më vonë, kur po ky lumë mori emrin Shkumbin nga qyteti Skampa ku ai kalonte në rrjedhën e mesme të tij.

Edhe sot mendojmë se ruhet i deformuar emri i vjetër Gerinius në disa fshatra pranë mbase nga banorët e larguar nga qendra e dikurshme Gerinius, kështu kemi fshatrat Garunias dhe Geramsh, Gramsh në zonën kodrinore të Darsisë, por edhe më larg në zonën e Kerrabes fshatin Garunjas apo Karunjas dhe në zonën e Velcës kemi sot qytetin Geramsh. Këto i kemi shpjeguar në trajtimet e emrave ilire në kohët antike për Myzeqenë e më gjerë.

Gerinues është emri i qytetit antik të Partheve sipas shkrimeve të Tit Livit dhe Polibit na e jep në formën Geruntin dhe Geruatin kur tregon për luftimet e para të legjioneve romake për pushtimin e Ilirisë. Kurse Ptolemeu na e jep në formën Arniësa, e cila vjen nga deformimet, por dhe nga shqiptimet dhe shkrimet e ndryshme në gjuhët e shkruesve kur shkrimi ilir mbase nuk kishte filluar të njihej dhe shkruhej. Pra kemi Gerynues, Garinues, Gerinium, Genius, Geruntin dhe Geruatin në shkrimet e vjetra dhe P’anyasos nga shkrimet e Ptolemeut.

Po ky Ptoleme na jep qytetin Arnisa për qytetin Gerinius me po atë rregullsi gjuhësore që ka shkruar edhe emrin e lumit nga Gerinius në Panyasos (Anyasos, Anisos, Arnisos, Arnisa).

I paraqitem këto të dhëna nga shkrimet e Ptolemeut për zonën e Myzeqesë për të parë e kuptuar drejt të dhënat e për t’i krahasuar sot në terrenin konkret.

Nga emri i qytetit Arnisa mendojmë se mund të shkojmë edhe në rrënjët e një fisi të fuqishëm arbëror siç janë Aranitasit që kanë bërë emër në mesjetë, jo vetëm në territoret tona, por me gjerë në Ballkan dhe Mesdhe.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *