90 vite me pare, me 10 korrik 1927, mbylli syte Heroina e Kombit Shqiptar Shote Galica

90 vite me pare, me 10 korrik 1927, mbylli syte Heroina e Kombit Shqiptar, Qerime Halil Radisheva – Gashi (Shote Galica)

“Në muajin janar 1925, Shota me çetën e vet e ndihmoi Bajram Currin në bjeshkët e Dragobisë. Luftën e fundit Shotë Galica me çetën e vet e zhvilloi në Llaushë, më 1926. Shota plagoset rëndë, por qëndron disi. Asaj rruge, pasi i mori disa fëmijë të shokëve të vrarë, niset për në Shqipëri. Po shkonte për të mos u kthyer më kurrë. Ishte kjo lamtumira e saj e fundit për Kosovën e dashur, për këtë tokë që dymbëdhjetë vjet e mbrojti me pushkë në dorë. Kur kaloi në Shqipëri, në fillim u vendos në Shullaz e më vonë në Derven të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese. Me vete e kishte Allçin (kalin) e Azemit dhe armët e tij që ia pati hequr kur e varrosën në shpellë. Aty pranë i mbante edhe disa fëmijë jetimë, për të cilët mezi siguronte bukë. Plaga e rëndë që e mori në betejën e Llaushës, mërzia për Kosovën e robëruar e të lënë në mjerim, dhembja për jetimët kosovarë, që po hiqnin të zitë e ullirit e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë ia prenë mjekët se iu kishin ngrirë nëpër male duke e mbajtur pushkën. Ta shikoje këtë luaneshë të dikurshme qysh ishte tretur, të prekte në zemër. Ishte bërë asht (kocke) e lëkurë dhe po përjetonte çaste të vështira. Mezi e siguronte kafshatën e bukës për vete dhe për jetimët që i rriste. Nga skamja u detyrua ta shesë dhe pasurinë e fundit që e kishte, kalin e Azemit. Edhe nipi i Azemit, Bejtushi (djali i Seferit) që gjatë sundimit Nolian e kishte regjistruar në shkollë, në Tiranë, një kohë i sëmurë nga malarja qëndroi te Shota (edhe ai ka vdekur pak pas saj).
Ditët e fundit të jetës i kaloi në Derven, në atë shtëpinë e vogël përdhese. Ishte lodhur dhe dobësuar shumë. Kishte mbetur kockë e lëkurë.
Më 10 korrik 1927, në moshën 32-vjeçare, në gjendje të mjerueshme, i mbylli sytë njëherë e përgjithmonë Heroina shqiptare Shotë Galica. Kur po jepte shpirt, te koka i qëndronin fëmijët jetimë që ajo i kishte mbajtur, e që në heshtje po qanin, dy vëllezërit e saj dhe disa kosovarë të tjerë.
Varrimi i saj nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit erdhën shumë njerëz nga rrethe të ndryshme. Sipas porosisë së saj varrimi u bë në Fushë-Krujë.
Në vitin 1962, Shteti Shqiptar ia ngriti lapidarin në Fushë-Krujë duke e nderuar edhe me titullin e lartë HEROINË E POPULLIT. Një tjetër përmendore i është ngritur edhe në qytetin e Kukësit, punuar nga skulptori i njohur Kristaq Rama.
Edhe në Kosovën martire kujtimi për këtë heroinë nuk u shua kurrë. Emrin e saj e mbajnë shumë shkolla, rrugë e institucione. Ekzistojnë shumë këngë e hartime letrare për të. Edhe sot e kësaj dite, urimi më i dashur që u bëhet vajzave kosovare është t’u thuash:U BËFSH SI SHOTË GALICA!”

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *